E Diel, 16 Maj 2010 19:26

Hz. Fatimja, zonja e dy botëve

Pikëllimi dhe mërzia i rëndonin supet e qytetit të Medinës. Rrugët në të cilat kishte ecur i dërguari i Zotit, i kishte kapluar një heshtje absolute, ndërsa në këtë mes, shtëpia e Aliut a.s. rrëfente një tregim të mallëngjyeshëm.

 



Fatimja, bija e dashur e profetit Muhammed s.a.v.s. po i kalonte çastet e fundit të jetës së saj. Mbi kokën e saj qëndronte Imam Aliu që po ia përsëriste kujtimet e ditëve të lumtura dhe sakrificat e saj. Vetëm Zoti e dinte se ç'po kalonte në kokën e hz. Aliut a.s.. Që nga ajo ditë që kishte vdekur i dërguari i Zotit, edhe Fatimja ishte zhytur në pikëllim dhe mallëngjim për babain e saj. Kjo mërzi shtohej edhe më tepër me veprat dhe sjelljet e pahijshme të disa personave, ku më në fund e dobësuan tepër shumë trupin e Fatimes dhe e detyruan të shtrihet në shtratin e vdekjes. Fëmijët e saj e shikonin me sy të përlotur dhe me zemër plotë vaj. Ngadalë Fatimeja i hapte sytë. Kurse sa herë që ajo i hapte sytë edhe zemrat e fëmijëve qetësoheshin dhe mbusheshin me shpresë. Kësaj radhe hz. Fatimja nga Esma, shoqja e saj besnike, kërkoi ujë që të merrte abdes.  Ajo mori abdes dhe qëndroi përballë Krijuesit të saj. Shikimet e lodhura të saj u përballen me shikimet e shqetësuara dhe të mbushura plotë mërzi të bijëve të saj, për të cilët e kishte porositur hz. Aliun a.s. që të kujdeset.

Zemra e hz. Aliut a.s. nuk kishte kah të shkonte nga gjithë kjo mërzi dhe dhimbje. Sa herë që e shikonte gruan e tij të dashur, i harronte edhe pikëllimet e kësaj jete. Prandaj dhe mendonte se tani e tutje si do të ndriçonte shtëpinë e tij pa dritën e trupit të Fatimesë, bijës së dashur të Profetit. Ai në këto çaste po e humbte ngushëlluesen e vetme të momenteve të vështira të jetës së tij. Fatimja ngadalë u shtri drejtë kibles. Kur i mbaroi fjalët me Aliun a.s., dëshmoi se Zoti është Një dhe se hz. Muhammedi s.a.v.s. është i dërguari i Tij dhe i mbylli sytë përgjithmonë nga kjo botë. Aliu a.s. bërtiti me zë të lartë. Në atë moment e pa testamentin e shkruar të gruas së tij. E mori në dorë dhe me buzët që i dridheshin e lexoi atë, në të cilin shkruante:

"Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirbërësit. Ky është testamenti i Fatimes, bijës së Pejgamberit të Zotit. Ajo dëshmon se nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut të Madhërishëm dhe Muhammedi është robi dhe i dërguari i Tij. Xheneti është i vërtetë ashtu edhe sikur xhehenemi. Një ditë do të vij kiameti dhe nuk ka dyshim në te. O Ali, unë jam Fatimja, bija e Muhammedit. Zoti bëri që unë të martohem me ty dhe të jem pranë teje në këtë botë dhe në botën tjetër dhe ti për mua je më i afërt se çdo kush tjetër. O Ali, xhenazen time pastroje natën dhe po ashtu natën më varros, dhe mos e lajmëro askënd. Të lë nën përkujdesjen e  Zotit dhe i dërgoj selamet dhe përshëndetjet për fëmijët e mi deri në ditën e kiametit".

Aliu a.s. veproi ashtu siç e kishte porositur nga Fatimja. E pastroi dhe e varrosi natën dhe varrin e saj nuk ia tregoi askujt përpos disa personave. Dihet se qyteti i Medinës parfumohet me aromën e Fatimes, por varri i saj akoma nuk është i ditur. Të gjithë muslimanëve dhe dashamirësve të Familjes së Profetit i shprehim ngushëllimet tona me të përzemërta me rastin e martirizimit të hz. Fatimes, bijes së dashur të hz. Muhammedit s.a.v.s.. Ndërsa programin tonë po e vazhdojmë me një hadith të Profetit Muhammed s.a.v.s., i cili thotë:

"Në zemrën e Fatimes aq shumë ka depërtuar besimi dhe dashuria për Zotin e Madhërishëm, sa që për të kryer adhurimin e ka sfiduar çdo gjë. Fatimja është një pjesë e trupit dhe shpirtit tim. Kush e mundon atë më ka munduar mua dhe kush mundon mua e ka hidhëruar Zotin".  Kjo është një fjalë e Pejgamberit i cili në bazë të ajeteve të Kur'anit, njeriun më të mirë e konsideronte njeriun më të devotshëm. Lirisht mund të thuhet se gradat e larta të saj shpirtërore dhe përpjekjet e palodhshme në rrugën e Zotit, atë e kishin ngritur në atë shkallë sa që ajo për Profetin ishte bërë njeriu më i afërt në këtë botë. Hz. Fatimja ishte burim i urtësisë dhe pasqyrë  e të gjitha bukurive në këtë botë. Dija dhe njohuria e saj e pafund ishte sikur një oqean i cili i tërheq shpirtrat e njerëzve dhe i adopton ata në rrugën e së vërtetës. Hz. Fatimja ishte lindur dhe ishte rritur në shtëpinë ku kishte zbritur shpallja e Zotit dhe nga e cila shtëpi përhapeshin mendimet e pastërta që ndriçonin njerëzimin në katër anët e botës. Për atë dhe hz. Fatimja, hz. Muhammeidn s.a.v.s. nuk e konsideronte vetëm si baba, por atë e shikonte edhe me një shikim më të thellë, pra si një i zgjedhur nga All-llahu i Madhërishëm për udhëheqjen e zemrave të njerëzve në këtë botë. Gjithashtu ajo më shumë se çdo kush e vlerësonte pozitën e babait dhe rëndësinë e profecisë së tij në këtë botë.

Hz. Fatimja që nga ditët e para të jetës e deri ën fund të jetës së babait të saj u ndodhë  pranë tij dhe përfitoi njohuri dhe madhështi të tepërta nga ai. Historianët dhe mendimtarët muslimanë mbrojnë një qëndrim të përbashkët në lidhje me atë se hz. Fatimja ishte një burim i pashtershëm i dijes dhe njohjes dhe gjithashtu kishte informacione të thella në lidhje me komentimin e Kur'anit. Unifikimi i saj me Kur'anin dhe dijen hyjnore ishte aq i madh, sa që njëherë kishte thënë: "Nga bota juaj i dua tri gjëra. Leximin e Kur'anit, shikimin e fytyrës së Pejgamberit dhe faljen dhe dhënien e lëmoshës në rrugën e Zotit".

Selman Farsiu transmeton se një ditë Profeti i Zotit më dërgoi për një punë në shtëpinë e Fatimes. Kur arrita në shtëpinë e saj, kërkova leje dhe hyra brenda. Në atë moment e vërejta se hz. Fatimja ishte duke bluar grurë në mulli dhe pëshpëriste disa ajete të Kur'anit. Hz. Fatimja kishte një kurajë mjaft të madhe për mësimin e Kur'anit dhe dijes e shkencave hyjnore. Një ditë prej ditëve, hz. Aliu a.s. hyri në shtëpi dhe dëgjoi se Fatimja po i lexonte disa ajete që sapo i kishin zbritur Pejgamberit. I habitur pyeti: "Si u informove në lidhje me këta ajete? Hz. Fatimja iu përgjigj: Biri im im Hasani sot mi lexoi ajetet që sapo iu kishin shpallur babait tim". Fatimja s.a. kishte përfituar tepër shumë nga oqeani i dijeve të Kur'anit të Shenjtë dhe e zbukuronte shpirtin e saj me mësimet dhe perlat e këtij Libri Madhështor. Nga Kur'ani e mësonte besimin në Zotin Një dhe kishte një vështrim të thellë në lidhje me ekzistencën dhe jetën.

Ajo pas vdekjes së Profetit Muhammed, ngjarjet që rridhnin i analizonte duke u  mbështetur në ajetet e Kur'anit dhe popullin e udhëzonte që të mos devijonte në besimin e tij. Në fillim të fjalimeve të saj e çmonte lartë Kur'anin dhe rolin e tij në jetën e njeriut dhe thoshte: "Zoti për ju o njerëz e ka dërguar një marrëveshje, kurse kjo marrëveshje është një Libër që vazhdimisht flet fjalë hyjnore. Kur'ani është libri i drejtë, dritë e ndriçuar, Libër i cili qëndrimet i ka të vërteta dhe të argumentuara, sekretet e dukshme dhe pamjen e jashtme të mahnitshme".

Hz. Fatimja vazhdimisht theksonte se ummeti islam, e veçanërisht dijetarët e këtij ummeti gjithnjë duhet të konsultojnë Kur'anin dhe hadithin e Profetit, si dy referencat kryesore të rregullave dhe urdhrave fetare. Kështu që fliste për nevojën e perceptimit të drejtë të Kur'anit dhe hadithit. Përpjekja dhe qëllimi i saj ishte që të informojë njerëzit me fenë e vërtetë të Zotit e cila iu kishte shpallur babait të saj, sepse në kohën e saj një grup njerëzish kishin filluar të keqinterpretojnë fenë për qëllimet e tyre personale. Ajo duke cilësuar lartë rolin e Kur'anit në shoqërinë islame dhe duke penguar devijimin e masës së njerëzve, thoshte: "Pse ndiqni të pavërtetën? Kur në mesin tuaj keni Librin e Zotit. Temat e tij janë të kuptueshme dhe parimet e tij të qarta. Shenjat e udhëzimit të tij janë të dukshme dhe paralajmërimet të kuptueshme për të gjithë. Apo athua e dëshironi Kur'anin dhe e lexoni atë, por gjykoni me gjëra tjera pos Kur'anit?"

Në jetën e shkurtë të hz. Fatimes ndodhën ngjarje të ndryshme të cilat luajtën një rol të rëndësishëm në jetën e saj. Ajo që na ka mbetur trashëgimi nga jeta dhe fjalët e hz. Fatimes, si në çështjet familjare ashtu edhe në ato politike dhe sociale, burojnë nga esenca e saj në kërkim të Krijuesit dhe devotshmëria e saj e paskajshme. Dashuria e saj ndaj Zotit ishte aq e madhe sa që është transmetuar se gjatë lutjeve dhe namazeve iu mpinin këmbët. Megjithatë, vullneti dhe dëshira për namaz dhe adhurim ishin aq të ëmbla për atë  sa që nuk pranonte t'i ndërronte me asgjë. Dashuria në Krijuesin manifestohej mjaft bukur në jetën e saj dhe për të fituar kënaqësinë e Zotit, për tri ditë me radhë të varfërve ia fali ushqimin e vet dhe të familjes dhe iftarin e çeli vetëm me ujë. Jeta e saj e ndritur është përplot ngjarje të këtilla dhe falje. Tërë natën e kalonte në adhurim dhe ibadet dhe shumë herë shfrytëzonte rastin që t'i lutej Zotit që të udhëzonte njerëzit e devijuar dhe ata të cilët e kishin braktisur sunetin dhe këshillat e hz. Muhammedit s.a.v.s..

Hz. Fatimja në familje ishte një grua sakrifikuese, e kënaqur dhe pa pretendime, punëtore dhe nënë e dhimbshme, e kuptueshme dhe mendimtare. Fatimja dhe ALiu kishin jetë të thjeshtë dhe të pa stolisur, por me shpirtra të mbudhur me dashuri dhe lumturi. Shtëpia e vogël e tyre ishte shndërruar në simbol të gëzimit shpirtëror dhe dera e kësaj shtëpie vazhdimisht ishte e hapur për skamnorët dhe nevojtarët. Hz. Fatimja aq shumë ishte e kënaqur nga jeta bashkëshortore me hz. Aliun, sa që edhe në çastin e fundit të jetës së saj shprehu kënaqësinë dhe lumturin nga jeta e tyre bashkëshortore, kështu që testamentin dhe këshillën e fundit ia tha vetëm burrit të saj të dashur, pra hz. Aliut a.s.. Ky ishte kulmi i besnikërisë së një gruaje ndaj burrit të saj dhe në shtëpinë e një nëne të këtillë u rritën dhe u edukuan njerëz të mëdhenj të historisë, që më pas krijuan epose.

Të dashur miq edhe njëherë tjetër ju shprehim ngushëllimet tona më të përzemërta me rastin e përvjetorit të martirizimit të hz. Fatimes s.a. dhe selamet dhe përshëndetjet më të sinqerta ia dërgojmë kësaj bije të dashur të Profetit tonë të islamit. Hz. Muhammedi s.a.v.s. në lidhje me hz. Fatimen thotë: "Bija ime, çdo kush që dërgon përshëndetje për ty, Zoti atë ka për ta mëshiruar dhe atë e bashkon me mua në çdo vend që ndodhem". Paqa dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ty o bija e dashur e Pejgamberit dhe o grua e zgjedhur dhe e pastër.

Emisionin e sotëm e përfundojmë me një fjali shumë të rëndësishme nga hz. Fatimja, e cila thotë: "Zoti, besimin e ka dërguar që t'ju ruajë nga shirku, namazin për t'ju pastruar nga mendjemadhësia dhe haxhin për t'ju përforcuar botën tuaj".   

Add comment


Security code
Refresh

Programet

  • Lindje e Mesme në javën që kaloi 19  - 2014-07-30
    Lindje e Mesme në javën që kaloi 19

    Javën kaluar shumica e zhvillimeve në rajonin e Lindjes së Mesme kanë qenë nën ndikim të agresionit dhe sulmeve të regjimit sionist kundër popullatës palestineze të Rripit të Gazës.

    Vështrime Politike Add new comment Lexo 82 herë Lexo më shumë ...
  • Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore të Irakut nga grupi DAISH  - 2014-07-30
    Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore të Irakut nga grupi DAISH

    Analistë të shumtë nisjen e luftës e konsiderojnë të barabartë me humbjen e kulturës mes njerëzve dhe kjo sipas tyre çon në shkatërrimin dhe zhdukjen e trashëgimisë kulturore.

    Vështrime Politike Add new comment Lexo 83 herë Lexo më shumë ...
  • Amerika nga një vështrim i brendshëm 19  - 2014-07-30
    Amerika nga një vështrim i brendshëm 19

    Gara e partive të Amerikës për të mbështetur krimet e regjimit sionist, zbulim i komploteve të tjera të aparatit të sigurisë së Amerikës kundër myslimanëve të këtij vendi, si dhe tensionet politike rreth çështjes së emigrimit të paligjshëm; kanë qenë lajmet më të rëndësishme të kësaj pjese të botës gjatë javës së kaluar.

    Amerika Në Një Vështrim Add new comment Lexo 83 herë Lexo më shumë ...
  • Evropa në javën që kaloi 19  - 2014-07-29
      Evropa në javën që kaloi 19

    Me rastin e ditës botërore të Kodsit, shtetasit evropianë dhe ata në Amerikë kanë manifestuar gjerësisht në mbështetje të popullit të përvuajtur palestinez dhe sidomos banorët në Gaza.

    Evropa në javën që kaloi Add new comment Lexo 91 herë Lexo më shumë ...
  • Festa e Bajramit, shpërblim për robin me durim dhe që adhuron Zotin  - 2014-07-29
    Festa e Bajramit, shpërblim për robin me durim dhe që adhuron Zotin

    Po vije aroma e freskët e festës së Bajramit dhe zemra e besimtarit gjendet pranë dy rrugëve, gëzimi i festës së Bajramit dhe pikëllimi i kalimit të muajit të bekuar të Ramazanit.

    Islam Add new comment Lexo 90 herë Lexo më shumë ...
  • Kodsi dhe Palestina në zi për Gazën  - 2014-07-25
    Kodsi dhe Palestina në zi për Gazën

    Për ty, o qyteti i paqes dhe qetësisë!

    Për ty, o vendi më i mirë për të jetuar!

    Oj lulja e qyteteve të botës!

    O Kods!

    Islam Add new comment Lexo 166 herë Lexo më shumë ...