E Dielë, 31 Gusht 2014

Publikimi i fundit 01:26:16 UTC

E Shtunë, 02 Korrik 2011 11:42

Mexhid Yvejsi: Doli në dritë monografia-enciklopedia e Kosovës

Mexhid Yvejsi: Doli në dritë monografia-enciklopedia e Kosovës

IRIB -Doli në dritë libri “Kosova, vështrim monografik”, me 646 faqe, është botimi i parë i natyrës monografike-enciklopedike te ne.

Në të janë përfshirë fushat më të rëndësishme të njohurive për Kosovën: nga gjeografia, historia, zhvillimet politiko-juridike, ekonomia, arsimi dhe shkenca, shëndetësia dhe kultura.

Puna e filluar para tre vjetëve për realizimin e një monografie për Kosovën nga ana e Akademisë së Shkencave dhe Arteve e Kosovës ka rezultuar e suksesshme, pasi që ka dalë në dritë një botim mjaft voluminoz, që i ka munguar lexuesit kosovar.

Kryetari i ASHAK-së, Besim Bokshi, tha më këtë rast se përpilimi i kësaj monografie nga akademia ka plotësuar një nevojë të shprehur pas luftës për një vepër të karakterit enciklopedik për Kosovën, për një vepër, që do të sillte një prezantim të gjithanshëm e gjithëpërfshirës të Kosovës.

“Gjithë kjo punë, që zgjati më tepër se tre vjet, u përballua me përkushtim të pandërprerë të kryeredaktorëve, të redaktorëve, të anëtarëve të redaksisë e të Këshillit bashkërendues, të cilëve u shkojnë mirënjohjet tona krenuese”, tha Bokshi. Ai tregoi se Akademia ka filluar punën për versionin anglisht, pak më të shkurtër, të kësaj vepre, me të cilën, sipas tij, të huajve do t’u bëhet e mundur të kenë njohuri më të plota për shtetin e ri të Kosovës.

Në këtë monografi janë hartuar 66 tekste autoriale, që mbulojnë zërat përkatës: 15 nga fusha e gjeografisë; 9 nga historia; 4 nga fusha e zhvillimeve politiko-juridike; 7 nga ekonomia; 7 nga arsimi dhe shkenca; 5 nga shëndetësia dhe 19 nga kultura.

Historiku i Akademisë...

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), e themeluar më 20 dhjetor të vitit 1975 në Prishtinë me Ligj të veçantë të Kuvendit të Kosovës, është institucioni më i lartë i shkencës dhe i artit në Kosovë. Anëtarët e saj janë shkencëtarë, studiues dhe artistë, të cilët janë të njohur për të arriturat e tyre në shkencë dhe art.

Nëpërmjet aktivitetit të saj ASHAK-u mëton të nxisë dhe të promovojë zhvillimin e mendimit shkencor dhe të kreativitetit në art duke u marrë me çështje të shkencës dhe të artit, duke dhënë vlerësime dhe mendime për pozitën dhe zhvillimin e shkencës dhe të artit në Kosovë, duke organizuar hulumtime në fusha të ndryshme të shkencës, e sidomos në lëmitë e trashëgimisë kulturore dhe të gjuhës, duke zhvilluar bashkëpunim në fushën e shkencës dhe të artit.

Përpos aktivitetit shkencor dhe artistik, ASHAK organizon edhe konferenca dhe simpoziume për çështje të ndryshme, si dhe zhvillon veprimtarinë botuese. Veprimtaria botuese përfshin veprat aktuale të anëtarëve të ASHAK, si dhe të shkencëtarëve dhe të artistëve të tjerë të shquar. Gjatë dhjetëvjetëshit të fundit janë botuar një varg veprash të studiuesve të shquar botërorë të shekujve të kaluar në fushë të studimeve të albanistikës.

Botimet periodike

Aktualisht ASHAK-u boton:

Studime, revistë nga fusha e filologjisë dhe e shkencave shoqërore, që përmban artikuj dhe punime në gjuhën shqipe dhe/ose frënge, angleze, gjermane;

Kërkime, revistë me punime nga fusha të shkencave natyrore;

Vjetari.

Udhëheqësia e Akademisë

ASHAK-u qeveriset nga Kuvendi, Kryesia, dhe Kryetari. Kuvendin e ASHAK-ut e përbëjnë të gjithë anëtarët e rregullt (akademikët) dhe anëtarët korrespondentë. Aktualisht Akademia ka në përbërje pune 25 anëtarë (19 të rregullt dhe 6 korrespondentë). Anëtarët e jashtëm dhe anëtarët e nderit të ASHAK-ut mund të marrin pjesë në punën e Kuvendit. Kryesinë e përbëjnë: Kryetari, Nënkryetari, Sekretari i përgjithshëm dhe 4 sekretarët e seksioneve të Akademisë. Akademia ka katër seksione:

1. Seksionin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë

2. Seksionin e Shkencave Shoqërore

3. Seksionin e Shkencave të Natyrës

4. Seksionin e Arteve.

Seksionet udhëhiqen nga sekretarët e seksioneve. ASHAK-u ka shërbimet profesionale e teknike dhe, në kuadër të tyre, edhe Bibliotekën e Akademisë. Departamentin e Bibliotekës dhe të Administratës.

Zgjedhjet dhe financimi

Kryetari, nënkryetari, sekretari i përgjithshëm dhe sekretarët e seksioneve zgjidhen në mandate 3 vjeçare me mundësi të një rizgjedhjeje. Numri i anëtarëve të ASHAK-ut nuk është i kufizuar, zgjedhjet e reja parashihen të mbahen në çdo 4 vjet për anëtarët e rregullt (akademikët), për anëtarët korrespondentë, të jashtëm dhe për anëtarët e nderit. Trupat punues të ASHAK-ut përbëhen nga anëtarët që jetojnë dhe punojnë në Kosovë. Anëtarë të jashtëm të ASHAK-ut janë shkencëtarë, studiues dhe artistë të shquar nga vende të ndryshme. Aktualisht anëtar nderi është Ferid Murat.

Financimi i Akademisë bëhet nga mjetet financiare të përcaktuara nga buxheti i Kosovës, nga mjetet që realizohen nga veprimtaria e saj, dhe nga burime të tjera.

Bashkëpunimi ndërkombëtar

Edhe në situatat më të rënda të veprimtarisë së tij, ASHAK-u ka insistuar të bashkëpunojë me akademitë e tjera dhe të integrohet në nivel ndërkombëtar.

Marrëveshje bashkëpunimi ka nënshkruar me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Sllovenisë, Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kroacisë, me Academia Nazionale delle Scienze detta XL në Itali, me Akademinë Mbretërore Flamane të Shkencave dhe të Arteve të Belgjikës, ka vënë kontakte me disa akademi të Evropës Juglindore si dhe të Evropës në përgjithësi. Në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë kanë themeluar Këshillin Ndërakademik për Gjuhën Shqipe.

ASHAK-u ka nënshkruar Memorandumin e Venedikut për bashkëpunim dhe mirëkuptim midis akademive të Evropës Juglindore, bashkëpunon me Rrjetin Ndërakademik të të Drejtave të Njeriut me seli në Nju Jork dhe është anëtar i ALLEA-s, si dhe i Këshillit Ndërakademik të Evropës Juglindore, etj.

Mexhid Yvejsi,

Gjakovë, 2 Korrik 2011

Add comment


Security code
Refresh